Katër ish-drejtuesit e UÇK-së do të kenë sot mundësinë të japin deklaratën e tyre përfundimtare në Gjykatën Speciale në Hagë, përpara shpalljes së vendimit. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim që prej nëntorit 2020, do të kenë secili nga 20 minuta në dispozicion për t’iu drejtuar trupit gjykues.
Ndaj tyre janë ngritur akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa Prokuroria Speciale ka kërkuar në total 180 vite burg. Avokatët mbrojtës i kanë kundërshtuar këto akuza, duke i cilësuar të pabazuara dhe duke kërkuar pafajësinë e plotë të të akuzuarve.
Kërkesa për dënim u artikulua më 9 shkurt nga prokurorja e çështjes, Kimberly West, gjatë deklaratave përmbyllëse. Ajo sqaroi se Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon nga 45 vite burg për secilin prej të akuzuarve, çka përkthehet në 180 vite në total. Sipas saj, akuzat përfshijnë vrasjen e rreth 100 personave dhe torturimin e qindra të tjerëve në afro 50 qendra ndalimi, duke theksuar se “këto janë krime të rënda që nuk e humbasin peshën me kalimin e kohës”.
Prokuroria pretendon se çështja lidhet me përpjekjen e katër të akuzuarve për të konsoliduar kontrollin në Kosovë gjatë luftës, duke vepruar ndaj personave që konsideroheshin kundërshtarë apo bashkëpunëtorë të forcave serbe.
Të pandehurit akuzohen për ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, torturë, vrasje të paligjshme, si dhe për burgosje, zhdukje me forcë dhe përndjekje si krime kundër njerëzimit. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, e cila mbulon periudhën mars 1998 – shtator 1999 në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Aktakuza u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe, pas publikimit të saj më 5 nëntor, të akuzuarit u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Tashmë, pas përmbylljes së deklaratave, vendimi i mbetet trupit gjykues, i cili ka deri në tre muaj kohë për ta shpallur atë.
Ndërkohë, kjo fazë e procesit përkon me 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, që u shënua me festime, por edhe me një protestë masive në Prishtinë nën moton “Drejtësi, jo politikë”, ku morën pjesë edhe përfaqësues të lartë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.