Migracioni neto në Shqipëria vijon të mbetet negativ përgjatë gjithë periudhës 2011–2025, duke u thelluar ndjeshëm pas pandemisë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, nga 1 janari 2021 deri më 1 janar 2025 vendi ka regjistruar 138 mijë largime më shumë sesa kthime, duke shënuar një nga periudhat më të forta të emigracionit në dekadën e fundit.
Të dhënat historike tregojnë se migracioni neto ishte rreth -18,765 persona në vitin 2011 dhe mbeti në nivele të ngjashme deri në vitin 2015. Një përmirësim i përkohshëm u vu re në vitet 2016–2018, por pas vitit 2019 prirja u përkeqësua sërish, ndërsa pas pandemisë humbjet neto arritën kulmin në vitin 2024 me -43,761 persona, edhe si pasojë e korrektimeve nga censusi i vitit 2023.
Fenomeni konfirmohet edhe nga Eurostat, sipas të cilit gjatë viteve 2021–2024 vendet e Bashkimit Europian dhanë 284,585 leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, me një rritje të ndjeshme të lejeve për punësim. Hapja e tregjeve europiane të punës dhe pritshmëritë për kushte më të mira ekonomike jashtë vendit kanë nxitur një valë të re emigracioni, duke e thelluar më tej trendin negativ të popullsisë.