“Çmenduri” në Kinë: Të rinjtë përtypin ushqimin me qese në gojë që të mos shëndoshen!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 17.02.2026, 23:08

Një trend i pazakontë dhe shqetësues po qarkullon në rrjetet sociale kineze, ku disa të rinj po përdorin metoda ekstreme për të shmangur shtimin në peshë.

Video të ndryshme tregojnë persona që vendosin një qese plastike transparente mbi gojë gjatë ngrënies, me pretendimin se në këtë mënyrë ndihen të ngopur pa konsumuar ushqim realisht.

Siç shihet dhe në pamjet e bëra virale në rrjet, ata vendosin plastikën mbi gojë, fusin ushqimin brenda saj dhe e përtypin për disa sekonda pa e gëlltitur. Më pas, ushqimi nxirret jashtë së bashku me qesen. Ideja e tyre është që truri, duke ndjerë shijen dhe procesin e përtypjes, “mashtrohet” duke menduar se trupi është ushqyer.

Megjithatë, specialistët e ushqimit dhe mjekët theksojnë se kjo është një keqkuptim i plotë i mënyrës si funksionon organizmi. Ndjesia e ngopjes nuk lidhet vetëm me përtypjen apo shijen, por me procesin e tretjes dhe përthithjen e lëndëve ushqyese në gjak. Pa këtë proces, trupi vazhdon të kërkojë energji dhe uria rikthehet.

Përveç faktit që kjo sjellje mund të nxisë apo përkeqësojë çrregullime të rënda të të ushqyerit, ajo paraqet edhe rreziqe të menjëhershme fizike:

Rrezik mbytjeje (asfiksie), pasi plastika mund të bllokojë rrugët e frymëmarrjes.

Rrezik infeksionesh, për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë me materiale jo sterile.

Irritime dhe dëmtime në gojë dhe fyt, si pasojë e fërkimit apo prerjeve të vogla nga plastika.

Në disa video përmendet edhe përdorimi i pajisjeve metalike që kufizojnë hapjen e gojës, duke e lënë atë vetëm pak të hapur për të pirë lëngje. Qëllimi është i njëjtë: të pengohet konsumimi i ushqimit.

Ekspertët paralajmërojnë se trende të tilla jo vetëm që janë të rrezikshme për jetën, por edhe reflektojnë presionin e fortë social mbi imazhin trupor. Çdo metodë ekstreme për humbje peshe, sidomos ato që shmangin ushqimin në mënyrë artificiale, mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin fizik dhe mendor.

Mesazhi i specialistëve është i qartë: kontrolli i peshës duhet të bëhet përmes mënyrave të sigurta, të shëndetshme dhe me këshillim profesional, jo përmes praktikave që rrezikojnë jetën.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit