Një situatë shqetësuese është denoncuar nga qytetarët në aksin rrugor Lushnjë–Rrogozhinë, ku një kamion është filmuar duke lëvizur në korsinë e parakalimit pa asnjë sinjalistikë paralajmëruese në pjesën e pasme.
Sipas denoncimit të mbërritur në redaksi, mjeti i tonazhit të rëndë po qarkullonte në korsinë e majtë, në një segment ku kufizimi i shpejtësisë është 90 km/h, ndërkohë që vetë kamioni lëvizte me rreth 60 km/h. Kjo situatë ka krijuar rrezik të shtuar për drejtuesit e tjerë të mjeteve, të cilët janë detyruar të frenojnë papritur ose të manovrojnë për të shmangur përplasjen.
Qytetari që ka dërguar videon shprehet se kamioni jo vetëm që po qarkullonte me shpejtësi më të ulët se limiti i lejuar, por ndodhej në korsinë e parakalimit pa arsye dhe pa sinjalistikën e nevojshme në pjesën e pasme, duke rritur ndjeshëm rrezikun për aksident.
Sjellje të tilla në rrugë, sidomos nga mjete të tonazhit të rëndë, përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë rrugore. Drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje nga autoritetet përkatëse për verifikimin e rastit dhe marrjen e masave ndaj shkelësve.
Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët, por zbatimi i rregullave mbetet thelbësor për të shmangur pasoja të rënda.