SPAK zbarkon te Spitali Amerikan: Sekuestron telefonin e Klod Allajbeut

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17.02.2026, 19:13

Prokuroria e Posaçme ka hedhur një hap vendimtar në zbardhjen e hijeve të dyshimit që rrethojnë koncesionet dhe tenderat e majmë në shëndetësinë shqiptare. Në kuadër të një hetimi të thelluar për aferat që kanë gërryer buxhetin e shtetit, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle të befasishme në zyrat e Spitalit Amerikan dhe në kompaninë farmaceutike "Evita SHPK".

Gjatë këtij aksioni, hetuesit kanë vënë nën sekuestro pajisje të shumta elektronike, por goditja më e fortë ka qenë marrja e telefonit personal të drejtuesit të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeut. Ky fakt është konfirmuar tashmë edhe nga Gjykata e Posaçme, pasi vetë Allajbeu ka depozituar një padi ku kërkon me ngulm kthimin e celularit, me pretendimin se sekuestrimi është i pabazuar në ligj. Bashkë me të, edhe tetë persona të tjerë të rrethit të tij kanë nisur një betejë ligjore për të rikuperuar sendet e sekuestruara gjatë kontrolleve.

Vëmendja e SPAK-ut është përqendruar veçanërisht te kompania "Evita SHPK", e cila dyshohet se ka përfituar favore të pamerituara në procedura prokurimi me vlera marramendëse. Një nga rastet më flagrante që po hetohet lidhet me tenderin 750 milionë lekësh për pajisjet e kardiokirurgjisë. Edhe pse në garë kishte një ofertë rreth 120 milionë lekë më të ulët, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka skualifikuar konkurrentin tjetër për t'ia dhënë fitoren kompanisë së lidhur me Allajbeun. Kjo skemë, ku paratë publike shpenzohen për oferta shumë më të shtrenjta se ato të tregut, është vetëm një pjesë e mozaikut të dyshimeve që përfshin edhe koncesionin e famshëm të dializës me vlerë 120 milionë euro.

Prapaskenat e këtyre përfitimeve bëhen edhe më të rënda kur shohim lidhjet mes biznesit dhe drejtuesve të lartë të institucioneve. Ministrja Evis Sala ndodhet në qendër të një konflikti të hapur interesi, pasi ndërkohë që firmos zgjatjen e koncesioneve apo rritjen e vlerave të pagesave për kompaninë "Evita", ajo figuron si Rektore në "Western Balkans University", një institucion privat nën pronësinë e Allajbeut. Raportohet se ministrja paguhet me një shifër prej 15 mijë eurosh në muaj nga biznesmeni që përfiton miliona nga dikasteri që ajo drejton. Favorizimet nuk ndalen këtu, pasi përveç zgjatjes së kontratës së dializës me pesë vite të tjera, Spitalit Amerikan i është garantuar edhe monopoli i operacioneve të trombozës për vitin 2026, duke i siguruar një fitim të pastër prej 10 milionë eurosh në vit. Tanimë, SPAK ka në duar dokumente dhe komunikime elektronike që pritet të zbardhin nëse ky bashkëpunim mes shtetit dhe privatit ka qenë një skemë e mirëfilltë korruptive në dëm të qytetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit