Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel ka dënuar me 25 vite burg Franc Gergelyn, alias Franc Çopja, pasi e shpalli fajtor për organizimin e vrasjes së Ardit Spahiut më 27 nëntor 2020 në zonën e Molenbeekut. Sipas vendimit, urdhri për ekzekutimin është dhënë nga Dubai, ku ai qëndronte në atë kohë.
Në të njëjtin proces, Mikael Qosja u dënua me burgim të përjetshëm si një nga personat që urdhëruan vrasjen, ndërsa autor i drejtpërdrejtë i ekzekutimit, Flobenc Meçja, mori gjithashtu dënim të përjetshëm. Gjykata theksoi se për asnjërin prej tyre nuk ekzistonin rrethana lehtësuese.
Dënime të tjera u dhanë edhe për bashkëpunëtorët: Elton Roci u dënua me 20 vite burg, Elvis Murataj me 8 vite dhe Eljo Bitri me 5 vite heqje lirie. Ky i fundit përfitoi dënim më të ulët për shkak të bashkëpunimit me autoritetet që nga nëntori 2023, pendesës së shprehur dhe dëshmive të dhëna gjatë hetimit, pavarësisht rrezikut të konsiderueshëm.
Të pandehurit u shpallën fajtorë si autorë apo bashkëpunëtorë në vrasjen e 38-vjeçarit Spahiu, i cili ishte zhvendosur në Belgjikë në vitin 2019 nga frika për jetën në Shqipëri. Sipas hetimeve, ngjarja lidhet me përplasjet mes klanit të lidhur me Çopjan dhe atij të familjes Alibej, të dy të përmendur në dosje të trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Ngjarja ndodhi më 27 nëntor 2020, kur Spahiu po dilte nga një restorant në Condorlaan, në Molenbeek. Ai u qëllua disa herë nga një person që doli nga një automjet dhe humbi jetën në vendngjarje, pasi mori plagë të shumta me armë zjarri.
Zbardhja e çështjes u bë e mundur pas dekriptimit të aplikacionit të koduar Sky ECC, që çoi në identifikimin e figurave kyçe të përfshira. Franc Gergely u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës në dhjetor 2023. Ai kishte deklaruar se qëndronte në Dubai për aktivitete tregtare në fushën e tekstileve dhe makinave.