Rama: Jam i pikëlluar për Lindën, më e mira e AKSHI-t

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 17.02.2026, 14:52

Kryeministri Edi Rama prezantoi drejtuesin e ri të Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa, vetëm katër ditë pasi paraardhësja Mirlinda Karçanaj përfundoi në arrest shtëpie. Mes fjalëve për transparencë, teknologji dhe transformim digjital, kryeministri siguroi se nuk ka dijeni për hetimin e SPAK mbi kompanitë e lidhura me institucionin, duke e bërë të qartë se informacioni më i rëndësishëm që zotëron është një tjetër, gjendja familjare e ish-drejtoreshës.

Në një moment emocional, Rama theksoi se është i pikëlluar sepse Karçanaj është “nënë me dy fëmijë”, një detaj që duket se konkurron seriozisht me akuzat për tendera. Në mungesë të dijenisë për kontrata, shifra apo procedura, publiku u ftua të reflektojë mbi sakrificën prindërore dhe oraret e gjata të punës. Madje, përforcim moral erdhi edhe nga partnerët ndërkombëtarë si Microsoft dhe Oracle, të cilët sipas Ramës kanë dhënë përshtypje të shkëlqyera për stafin, çka në praktikë tingëllon si rekomandim LinkedIn përballë një dosjeje hetimore.

Kryeministri u kujdes të theksonte se drejtësia do flasë në fund, por kjo nuk duhet të na pengojë të ndiejmë dhimbjen e tij për një nënë në vështirësi. Mes korrupsionit të dyshuar dhe revolucionit digjital, drama njerëzore mbeti argumenti më i fortë: serverat mund të hetohen, tenderat mund të analizohen, por pikëllimi institucional për një prind duket se mbetet provë morale më e rëndë se çdo provë materiale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit