Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, pasi 22-vjeçari nga Kosova, Lorik Abazi, humbi jetën pas një sulmi me thikë të ndodhur dy ditë më parë në Londër.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, familja e të riut ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e parakohshme. “Loriku ishte një i ri i kujdesshëm, i zgjuar dhe me një sens të mirë humori, me gjithë të ardhmen përpara. Ne, prindërit e tij, vëllai, e dashura, gjyshërit dhe familja e gjerë si dhe miqtë, e donim shumë. Një dritë është shuar në jetët tona dhe jemi të shkatërruar përtej fjalëve nga humbja e tij. Ju lutemi me mirësi të respektoni privatësinë tonë në këtë kohë,” thuhet në mesazhin prekës.
Edhe familjarë e miq të tjerë kanë reaguar me dedikime emocionuese për 22-vjeçarin, duke e përshkruar si një djalë plot ëndrra dhe energji pozitive. Loriku ishte nipi i këngëtares së njohur kosovare Ganimete Abazi, e njohur me emrin artistik “Ganja”, e cila gjithashtu ndau një mesazh dhimbjeje në rrjetet sociale.
Pas ngjarjes, autoritetet britanike arrestuan dy vajza 25 vjeç dhe një djalë 28 vjeç si të dyshuar për vrasje. Njëra prej vajzave është liruar me kusht, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.