Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për Majlinda Bufi, kryetare e Bashkisë së Roskovecit, e cila akuzohet për përdorim të funksionit publik në funksion të veprimtarive politike ose zgjedhore.
Sipas pretencës së organit të akuzës, nëse çështja do të shqyrtohet me procedurë të gjykimit të shkurtuar, dënimi do të reduktohej në 1 vit burgim dhe do të pezullohej për një periudhë 2-vjeçare, gjatë së cilës do të aplikohej edhe shërbimi i provës.
Po ashtu, prokurorja Dorina Bejko ka kërkuar vendosjen e një mase plotësuese, që parashikon ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike nga ana e kryebashkiakes për një afat 5-vjeçar.