Banorët e Fushë-Milotit kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar të rrugës kryesore të zonës, e cila sipas tyre është dëmtuar rëndë nga qarkullimi i kamionëve me ngarkesa të mëdha.
Sipas një qytetari që ka kontaktuar redaksinë, rruga është pothuajse e pakalueshme për shkak të gropave të thella dhe baltës së krijuar, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e automjeteve.
“As makinat nuk kalojnë dot, gropat janë aq të mëdha sa mjetet prekin poshtë, ndërsa balta e bën situatën edhe më të rëndë”, shprehet ai.
Banorët bëjnë me dije se katér herë janë ngritur në protestë për të kërkuar ndërhyrje, por sipas tyre, deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete nga Bashkia Kurbin.
Ata theksojnë se prej rreth 10 vitesh problematika e rrugës mbetet e pazgjidhur, ndërsa dëmtimet janë shtuar si pasojë e qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë.
Banorët i bëjnë thirrje institucioneve vendore që të ndërhyjnë sa më parë për rehabilitimin e rrugës dhe për vendosjen e masave që kufizojnë lëvizjen e kamionëve me ngarkesa të rënda, në mënyrë që situata të mos përkeqësohet më tej.