SI SOT/ UKT, Ilir Beqaj, Mazniku e Veliaj dhe Linda e AKSHIT, si rropën lekët e shqiptarëve

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 17.02.2026, 11:16

Prej katër vitesh radhazi, data 17 shkurt shënon publikimin e disa prej denoncimeve më të forta mbi tenderët publikë dhe mënyrën e shpërndarjes së fondeve shtetërore. Në rubrikën “Si sot”, rikthejmë këto katër raste që ngritën pikëpyetje serioze mbi transparencën, barazinë në prokurime dhe administrimin e parave publike.

Më 17 shkurt 2020, në Ujësjellës Kanalizime Tiranë, nën drejtimin e Redi Molla, tenderi “Zhvillim Softëare për taksën e ndërtesës” iu dha kompanisë Xpert Systems për 70 milionë lekë, megjithëse në garë morën pjesë vetëm dy kompani dhe u shpall fituese oferta më e lartë. U pretendua se një software i tillë kushton maksimumi 5.000 euro (rreth 12 herë më pak), ndërsa “Xpert Systems”, me aksionerë Renald Govën dhe Darin Gëzdarin, kishte përfituar 470 milionë lekë nga buxheti i shtetit në vitet 2015–2019.

Më 17 shkurt 2021, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, zhvilloi tenderin “Mirëmbajtja e sistemit të shërbimit të provës për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës” me fond limit 2.420.800 lekë pa TVSH, ku fituese doli INTECH+ me ofertë 2.292.000 lekë pa TVSH, pothuajse identike me fondin limit. Kompania ishte në pronësi të Ilir Beqaj deri në vitin 2013, më pas aksionet kaluan te Sokol Sinani, ndërsa u aludua për përfshirje “de facto” të Beqajt.

Më 17 shkurt 2022, shoqëria ECO TIRANA, në bashkëpronësi 51% të Bashkia Tiranë dhe AGSM Holding Albania, me ish-administrator Arbjan Mazniku, hapi tenderin REF-16038-12-21-2021 për “Rikonstruksioni zyrat dhe sheshi Don Bosko” me fond 66,964,620 lekë pa TVSH (rreth 800 milionë lekë të vjetra me TVSH). Nga 4 kompani, dy ofertuan zero lekë, fitues u shpall bashkimi “A.L-ASFALT” (Astrit Varaku, Luan Mema) & “HTM” (Ilir Tabaku) me 66,198,080 lekë pa TVSH (98.85% e fondit), me diferencë rreth 140 milionë lekë të vjetra me TVSH nga oferta tjetër.

Më 17 shkurt 2025, AKSHI, sërish nën drejtimin e Mirlinda Karçanaj, zhvilloi tenderin “Përmirësimi i sistemit financiar dhe inventarizues për Policinë e Shtetit” me fond limit 160,390,000 lekë pa TVSH (rreth 1.9 miliardë lekë të vjetra me TVSH). Fitues u shpall COMMUNICATION PROGRESS, në pronësi të Gentian Likaj dhe Enkeleidi Zoraqi, me ofertë 148,900,000 lekë pa TVSH (rreth 1.8 miliardë lekë të vjetra me TVSH), ose 92.8% e fondit limit, në garë morën pjesë vetëm dy kompani dhe diferenca mes ofertave ishte rreth 400 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Këto katër denoncime në katër vite radhazi, të gjitha të publikuara më 17 shkurt, nxjerrin në pah një model të përsëritur, fonde limit të larta, diferenca minimale mes ofertës fituese dhe fondit limit, pjesëmarrje e kufizuar në garë, oferta zero ose fitues me ofertën më të lartë dhe kompani të njëjta apo të lidhura me pushtetin që përfitojnë miliona e miliarda lekë nga buxheti i shtetit. Nga 70 milionë lekë për një softëare në UKT, te 2.4 milionë lekë për mirëmbajtje sistemi, 800 milionë lekë për rikonstruksion dhe deri në 1.8 miliardë lekë për sistem financiar policor, fenomeni i tenderëve me konkurrencë të dyshimtë dhe transparencë të munguar paraqitet si një skemë e vazhdueshme në administrimin e fondeve publike, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi kontrollin, hetimin dhe përgjegjësinë institucionale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit