Një ngjarje e rëndë e ndodhur në burgun e sigurisë së lartë të Domokos ka tronditur opinionin publik në Greqi, duke zënë faqet kryesore të mediave vendase.
Një i dënuar me burgim të përjetshëm mbeti i vrarë nga një tjetër i burgosur, ndërsa objektiv i sulmit dyshohet se ishte shefi i rojeve të burgut.
Sipas raportimeve të medias greke, mes tyre edhe “Protothema”, incidenti ndodhi pasditen e së dielës, pak pas orës 19:00, në një zonë të burgut që nuk monitorohet nga kamerat e sigurisë. Viktima, një 43-vjeçar grek i dënuar për vrasjen e biznesmenit Dimis Korfiatis në Zakynthos në vitin 2021, dyshohet se kishte siguruar një armë zjarri brenda institucionit.
Ai tentoi të qëllonte ndaj kryegardianit të burgut, por u neutralizua nga një i dënuar bullgar, i cili e çarmatosi dhe e qëlloi dy herë në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autopsia paraprake konfirmoi dy plagë fatale në kokë, ndërsa arma tip revolver “Colt”, me tre fishekë të shkrepur, është dërguar për ekspertizë në laboratorët kriminalistikë.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta mbi sigurinë në burgjet greke, sidomos për faktin se incidenti ndodhi në një “pikë të verbër” pa mbikëqyrje kamerash dhe se një armë zjarri arriti të futej brenda ambienteve të një burgu të sigurisë së lartë.
Shefi i rojeve të burgut të Domokos ndodhet tashmë në qendër të hetimeve. Sipas burimeve policore, dëshmia e tij konsiderohet kyçe, pasi autoritetet flasin për mospërputhje dhe boshllëqe serioze në versionin e paraqitur.
Në sfond të ngjarjes dalin edhe emra të njohur shqiptarë. Mes tyre përmendet Alket Rizai, i dënuar dy herë me burgim të përjetshëm në Greqi dhe me një dosje të gjatë kriminale. Emri i tij u bë i njohur ndërkombëtarisht për arratisjet spektakolare, përfshirë atë me helikopter nga burgu i Korydallos në vitin 2006, në bashkëpunim me Vassilis Paleokostas.
Sipas raportimeve, kryegardiani kishte mbështetur disa muaj më parë dhënien e një lejeje për një të dënuar shqiptar, i cili më pas nuk u rikthye në burg dhe rezulton në arrati. Media greke thekson se mes tij dhe zyrtarit të burgut ekziston lidhje familjare (baxhanakë), fakt që ka shtuar dyshimet për konflikt interesi dhe favorizime të mundshme.
Ngjarja në Domokos vjen vetëm pak javë pas një tjetër vrasjeje në burgun e Malandrinos, ku humbi jetën i dënuari shqiptar Jani Aliaj.
Zyrtarë të Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar në Greqi theksojnë se burgimi nuk po arrin të ndalë aktivitetin kriminal, përkundrazi, sipas tyre, brenda qelive janë konstatuar armë, drogë dhe telefona celularë, çka tregon për boshllëqe serioze në sistemin e sigurisë.
Autoritetet greke kanë nisur hetime të thelluara për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, për të verifikuar mënyrën se si arma hyri në burg dhe për të përcaktuar përgjegjësitë eventuale të stafit drejtues të institucionit.