Përfshihet nga flakët Teatri historik “Sannazaro” në Napoli

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 17.02.2026, 09:52

Një zjarr i fuqishëm shpërtheu në orët e para të së martës në Teatrin historik Teatro Sannazaro, i vendosur në lagjen qendrore Chiaia të Napoli. Flakët u raportuan pak pas orës 06:30 dhe u përhapën me shpejtësi në një pjesë të madhe të godinës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, veçanërisht në kupolën historike, si dhe duke prekur edhe një pallat banimi ngjitur.

Sipas mediave italiane dhe autoriteteve lokale, alarmi u dha nga banorët e zonës në orët e para të mëngjesit, pasi panë re të dendura tymi dhe flakë që dilnin nga pjesa e sipërme e ndërtesës. Dëshmitarët okularë pohuan se tymi përhapi një erë të rëndë dhe e bëri frymëmarrjen të vështirë në të gjithë perimetrin përreth.

Në vendngjarje ndërhynë disa ekipe zjarrfikësish, të cilat punuan për shuarjen e flakëve dhe sigurimin e zonës. Forcat e rendit rrethuan perimetrin dhe nisën hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.

Informacionet e para zyrtare konfirmojnë se kupola e teatrit është shkatërruar plotësisht. Godina, e ndërtuar në shekullin XIX dhe simbol i traditës teatrore napolitane, ka pësuar dëme të rënda strukturore. Katër persona u dërguan në spital për shkak të asfiksisë nga tymi, por fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar në gjendje të rëndë. Për arsye sigurie, u evakuuan edhe banorët e ndërtesave përreth.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit. Burime jozyrtare sugjerojnë se një defekt elektrik mund të jetë në origjinë të flakëve, megjithatë autoritetet po presin rezultatet përfundimtare të ekspertizës teknike. Ndërkohë, zona mbetet e bllokuar dhe qarkullimi në rrugën Via Chiaia është kufizuar për të lehtësuar operacionet dhe për të garantuar sigurinë.

I inauguruar në vitin 1847, teatri ka qenë për më shumë se një shekull një pikë referimi për jetën kulturore të Napolit, duke pritur dhjetëra shfaqje dhe aktivitete artistike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit