Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Pas ngritjes solemne të flamurit shtetëror, ajo theksoi se kjo është një ditë feste dhe krenarie për të gjithë qytetarët e vendit.
Osmani u shpreh se 17 Shkurti është një moment bashkimi, ku përveç festimit të shtetit sovran e të pavarur, përkujtohen edhe të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës. Sipas saj, shteti i ri tashmë po hyn në një fazë pjekurie, falë përkushtimit dhe sakrificës së brezave të tërë.
“I uroj të gjithë qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë sovran e të pavarur… Rrnoftë Republika e Kosovës”, përfundoi presidentja Osmani në fjalimin e saj.