Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në qytetin Qingdao të Kinës, ku një grua u përball me një surprizë të pabesueshme sapo u kthye në shtëpi pas dy ditësh mungesë.
Zonja Jiang kishte lënë në ambientet e banesës tre kartona me vezë. Por kur u rikthye, gjeti disa zogj të sapodalë. Sipas saj, 40 deri në 50 kishin çelur në momentin kur mbërriti në shtëpi, ndërsa në total dolën 70 zogj nga 90 vezë.
Inkubimi dyshohet se u favorizua nga temperaturat e larta në ambient, të cilat krijuan kushte të ngjashme me një inkubator natyral.
Familja reagoi menjëherë duke improvizuar një strehë të përkohshme për zogjtë dhe duke i ushqyer me lëng të ngrohtë orizi për t’i mbajtur të hidratuar dhe të fortë në orët e para kritike pas çeljes.
Aktualisht, dy prej tyre janë mbajtur si kafshë shtëpiake, ndërsa pjesa tjetër janë dërguar tek prindërit e zonjës Jiang në vendlindje, ku po rriten në kushte më të përshtatshme.
Ngjarja ka tërhequr vëmendje të madhe për shkak të mënyrës së pazakontë se si vezët, të ruajtura në kushte shtëpie, arritën të çelin në numër kaq të lartë një rast që tregon se faktorët mjedisorë, veçanërisht temperatura, mund të ndikojnë ndjeshëm në procesin e inkubimit.