Një histori që thyen çdo zemër vjen nga fshati Gurras i Pogradecit. Dylber Shuli, tashmë 90 vjeç, po zhvillon betejën e fundit të jetës së tij: atë me kohën. Prej 12 vitesh, ai pret dritën e syve të tij, nipërit dhe mbesat që mbetën peng në kampet e tmerrit në Siri.
Tragjedia e kësaj familjeje nisi në vitin 2013, kur djali i Dylberit, Krenari, u largua drejt Sirisë me bashkëshorten dhe tre fëmijët. Ajo që nisi si një ikje pa kthim, përfundoi në një katastrofë njerëzore; prindërit humbën jetën në luftë, duke i lënë fëmijët krejtësisht të vetëm në mes të ferrit.
Sot, barra e rëndë ka rënë mbi mbesën e madhe, Elonën, e cila në kushte mbijetese po rrit vëllezërit, motrat dhe djalin e saj të sapolindur në kamp. I moshuari, i lodhur nga pritja 12-vjeçare, lëshon thirrjen dëshpëruese: "Dua t'i shoh edhe njëherë të mbushet oborri i shtëpisë para se të mbyll sytë".
Rikthimi i fundit i Eva Dumanit ka ndezur shpresën te 90-vjeçari, i cili lutet që ky makth të marrë fund dhe nipi e mbesat e tij të mos mbeten vetëm një amanet i pashkruar.