Në skenën politike dhe infrastrukturore të vendit po qarkullon një teori e re, e cila tenton të shpjegojë pse rrugët tona, pavarësisht buxheteve marramendëse, përfundojnë shpesh nën rrëshqitje dherash. Bëhet fjalë për një modifikim drastik të atij që njihet si "Rregulli 80 me 20", i cili dikur shërbente si standardi i pashkruar i korrupsionit, por që sot duket se ka kaluar në një dimension tjetër.
Nëse i kthehemi rrugëve të periudhës së Sali Berishës apo kohës së Sokol Olldashit, ekspertët dhe vëzhguesit vërejnë një detaj interesant: betonit nuk i mungonte hekuri. Pavarësisht akuzave për abuzime, rregulli funksiononte me një lloj logjike "përmbajtësie". Përafërsisht 80% e fondit shkonte realisht për rrugën, siç shihet në projektet Rrëshen-Kalimash apo Krrabë-Bradashesh, ndërsa 20% humbte në rrjetat e korrupsionit. Rruga bëhej, qëndronte në këmbë dhe investimi ishte i prekshëm.
Sot, nën drejtimin e Belinda Ballukut, ky ekuacion duket se është përmbysur plotësisht. Modifikimi i rregullit është sa i thjeshtë, aq edhe i dhimbshëm për xhepat e qytetarëve: tashmë vetëm 20% e fondit shkon për rrugën, ndërsa 80% "avullon" në skemat e korrupsionit dhe sistemit të patronazhistëve. Kjo shpjegon edhe cilësinë e dobët të punimeve që shohim çdo ditë, ku muret mbrojtëse çahen pas shiut të parë dhe dherat zënë rrugën sapo mbaron shiriti i inaugurimit.
Ky model nuk kufizohet vetëm te asfalti. I njëjti raport 80 me 20 po aplikohet edhe në administratë. "Orteku" i pensionistëve patronazhistë që vazhdojnë të mbajnë peng sistemin është pasqyra besnike e kësaj skeme. Kur 80% e energjisë dhe financave shpenzohet për të mbajtur në këmbë makinerinë elektorale dhe vetëm 20% për shërbim real ndaj publiku, rezultati është ky që shohim: rrugë që shemben dhe një shtet që funksionon me "pika".
Diferenca është e qartë: nëse dikur vjedhja ishte një përqindje mbi punën, sot puna është bërë një përqindje e vogël mbi vjedhjen.