Një dërgesë e pazakontë në ishullin Little St. James ka rikthyer vëmendjen te misteret e Jeffrey Epstein. Dokumentet e reja zbulojnë se financieri bleu qindra galonë acid sulfurik pikërisht në ditën kur FBI hapi zyrtarisht hetimin ndaj tij.
Faturat dhe email-et e brendshme tregojnë se më 12 qershor 2018, në ishullin privat të Epstein u dorëzuan 6 fuçi industriale (gjithsej 330 galonë ose rreth 1250 litra) të kimikatit gërryes. Dërgesa prej 4373 dollarësh përkoi saktësisht me nisjen e hetimeve federale për trafikim seksual.
Koha e blerjes ka nxitur spekulime të forta online, ku shumë përdorues pretendojnë se acidi mund të ishte përdorur për asgjësimin e provave.
Megjithatë, dosjet nuk ofrojnë prova për përdorim kriminal. Dokumente që datojnë që nga viti 2013 sugjerojnë se acidi sulfurik përdorej për impiantin e pastrimit të ujit në ishull, një praktikë standarde për rregullimin e pH-së dhe filtrimit.
Lajmi vjen krahas pamjeve shqetësuese të publikuara së fundmi, ku Epstein shfaqet duke ndjekur dy vajza të reja në kuzhinën e rezidencës së tij. Edhe pas vdekjes së tij, çdo faqe e re që hapet nga kjo dosje, dëshmon se historia e Epstein mbetet një nga enigmat më të errëta të drejtësisë amerikane.