Plagosi rëndë me thikë italianin, arrestohet për tentativë vrasjeje shqiptari në Itali

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16.02.2026, 19:27

Një 37-vjeçar shqiptar është arrestuar në Genova të Italisë, i dyshuar për tentativë vrasjeje dhe grabitje, pasi akuzohet se ka goditur me thikë një 40-vjeçar brenda banesës së këtij të fundit.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, rreth orës 20:00, në zonën e Priaruggia, në lagjen Genova Quarto, pranë plazhit. Sipas mediave italiane, viktima dhe autori i dyshuar njiheshin me njëri-tjetrin, por rrethanat e konfliktit mbeten ende të paqarta.

Kur karabinierët mbërritën në vendngjarje, e gjetën 40-vjeçarin të shtrirë në gjendje të rëndë, me plagë të thella në qafë, kraharor dhe në dorë. Ai u transportua me urgjencë në spitalin San Martino në “kod të kuq” dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje delikate kirurgjikale. Aktualisht ndodhet në reanimacion kardiovaskular dhe, sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetën, edhe pse prognoza mbetet e rezervuar.

Një element kyç në zbardhjen e ngjarjes ka qenë dëshmia e vëllait të të arrestuarit. Sipas raportimeve, ai është paraqitur në një stacion policie duke deklaruar se i vëllai i kishte rrëfyer se kishte vrarë një person dhe kishte treguar adresën e apartamentit ku dyshohej se kishte ndodhur sulmi. Kjo ka bërë që forcat e rendit të ndërhyjnë menjëherë, duke i shpëtuar jetën 40-vjeçarit.

Përveç 37-vjeçarit shqiptar, një e mitur është proceduar në gjendje të lirë dhe i është besuar shërbimeve sociale.

Autori i dyshuar është dërguar në burgun e Marassit, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar motivet e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë. Autoritetet pritet të analizojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të hedhur më shumë dritë mbi atë që ndodhi brenda apartamentit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit