AKSHI zhvishet nga tenderat: Milionat e teknologjisë i kalojnë një kompanie private

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 16.02.2026, 18:20

Deputetët e maxhorancës kanë miratuar në komisionet parlamentare një nismë ligjore të propozuar nga deputeti socialist Erion Malaj, e cila sjell një ndryshim rrënjësor në menaxhimin e fondeve publike për teknologjinë. Ky projektligj i heq Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të drejtën për të zhvilluar tenderat e infrastrukturës digjitale, duke ia transferuar këtë kompetencë një shoqërie të re aksionare me pronësi mikse, ku shteti do të zotërojë të paktën 51 për qind të aksioneve ndërsa pjesa tjetër prej 49 për qind mund t'u kalojë investitorëve privatë.

Sipas draftit të propozuar, kjo shoqëri e re do të gëzojë ekskluzivitetin e plotë për prokurimet në fushën e teknologjisë së informacionit, duke e lënë AKSHI-n në një rol thjesht rregullator dhe mbikëqyrës. Agjencia, e cila kohët e fundit është përballur me një goditje të fortë të imazhit pas hetimeve të SPAK mbi ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal brenda radhëve të saj, do të mbetet përgjegjëse vetëm për standardizimin, arkitekturën dhe sigurinë e sistemeve, pa pasur më në dorë menaxhimin e fondeve miliona eurosh.

Miratimi i kësaj nisme u shoqërua me kundërshti të forta nga opozita, e cila e sheh lëvizjen si një përpjekje për të shmangur llogaridhënien pas skandaleve të fundit. Deputetja Jorida Tabaku ngriti alarmin se kalimi i infrastrukturës kritike digjitale nën menaxhimin e një subjekti me pjesëmarrje private përbën një precedent të rrezikshëm për sigurinë e të dhënave sensitive të qytetarëve dhe bie ndesh me standardet e Bashkimit Europian.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit