Vrasja e Gjin Boriçit, SPAK kërkon 40 dëshmitarë në gjyq

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 16.02.2026, 16:30

Tensione dhe përplasje të forta kanë shoqëruar seancën e radhës për dosjen “Metamorfoza”, ku SPAK ka kërkuar thirrjen e 40 dëshmitarëve për t’u marrë në pyetje në lidhje me akuzat e rënda ndaj një grupi të strukturuar kriminal.

Prokurorët kërkojnë dëshmi për vrasjen e Gjin Boriçit në gusht 2020, si edhe për sigurimin e kushteve për atentatin ndaj Kleanthi Musabellit, ngjarje që sipas SPAK janë kryer në kuadër të veprimtarisë së organizuar kriminale.

Debati më i ashpër në sallë u përqendrua te komunikimet përmes aplikacionit SKY ECC dhe pretendimet për mospërputhje mes orareve të bisedave dhe kohës kur ndodhi vrasja e Boriçit. Ish-kreu i SPAK, Arben Kraja, argumentoi se ora e serverave të SKY ECC nuk përkon me orën lokale, duke kundërshtuar pretendimet për manipulim të kohës së komunikimeve.

Në krahun tjetër, avokati Gurali Brahimllari, që përfaqëson biznesmenin P. Gj., akuzoi prokurorinë për deformim të provave dhe manipulim të procesverbalit, duke pretenduar se dokumentacioni është spostuar.

Seanca u shty me kërkesë të mbrojtjes, e cila kërkoi kohë për t’u njohur me materialet e plota të paraqitura nga prokuroria. Në këtë proces po gjykohen gjithashtu Behar Bajrovic dhe Edmond Preka. Çështja po trajtohet me gjykim të zakonshëm, ndryshe nga pjesë të tjera të dosjes që janë shqyrtuar më herët me procedurë të shkurtuar. Seanca e ardhshme pritet të sjellë sërish përballje të forta mes palëve në një nga proceset më të bujshme për krimin e organizuar në vend.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit