Muri pritës në segmentin rrugor Maliq–Lozhan, pranë urës së Qenckës, në kilometrin e 13-të të këtij aksi, është shembur plotësisht një ditë më parë, duke shkaktuar vështirësi serioze në qarkullimin e mjeteve.
Masivi i dheut që rrëzoi murin e betonit përfundoi në rrugë, duke bllokuar njërën korsi. Si pasojë, qarkullimi po kryhet vetëm në një sens lëvizjeje, çka ka sjellë probleme për banorët e zonës dhe drejtuesit e automjeteve që e përdorin këtë segment.
Përtej bllokimit të rrugës, vëmendje ka tërhequr edhe cilësia e punimeve të kryera nga kompania “Gjikuria”, e drejtuar nga biznesmeni Florenc Gjikuria. Pamjet nga vendngjarja kanë ngritur pikëpyetje, pasi në strukturën e murit të shembur nuk dallohen elementë përforcues hekuri, por vetëm beton, ndonëse bëhet fjalë për një aks në zonë malore me risk të lartë gjeologjik.
Duhet rikujtuar fakti se segmenti është pjesë e projektit të rrugës Maliq–Lozhan i Ri–Strelcë, një investim me vlerë 1 miliard e 397 milionë lekë me TVSH, që synon të lidhë Korçën me Elbasanin dhe të përmirësojë qarkullimin në këtë aks strategjik.
Në korrik 2022, tenderi për këtë projekt iu dha kompanisë “Gjikuria” nga drejtori i atëhershëm i ARRSH-së, Ervis Berberi. Edhe pse procedura u zhvillua pa garë, punimet janë shoqëruar me vonesa të konsiderueshme, ndërsa pas incidentit të fundit janë shtuar dyshimet edhe për cilësinë e zbatimit.
Lidhur me ngjarjen, Prokuroria e Korçës pritet të verifikojë dokumentacionin teknik dhe standardet e punimeve, për të përcaktuar shkaqet e shembjes dhe përgjegjësitë eventuale.