Deputetja e PS dorëzon nismën në Kuvend: Oligarkë, merrni portet pa procedura konkurrimi!

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 16.02.2026, 14:47

Një propozim i dorëzuar së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë nga deputetja socialiste Zamira Sinaj ka hapur debat lidhur me mënyrën e zhvillimit të porteve turistike në vend.

Nisma, e paraqitur nga përfaqësuesja e qarkut të Vlorës, synon t’u japë më shumë lehtësira oligarkëve të maskuar si investitorë strategjikë për ndërtimin dhe administrimin e porteve në zonat ku janë ngritur apo planifikohen fshatra turistikë pa procedura konkurrimi.

Sipas përmbajtjes së projektit, investitorët e kategorizuar si strategjikë mund të përfitojnë procedura të përshpejtuara dhe lehtësime të mëtejshme ligjore, duke nxitur zhvillimin e infrastrukturës turistike bregdetare. Megjithatë, nisma ka ngjallur reagime dhe kritika nga zëra të ndryshëm publikë, të cilët e shohin këtë lëvizje si një hap që mund të reduktojë konkurrencën dhe transparencën në menaxhimin e aseteve shtetërore.

Kritikët argumentojnë se portet përfaqësojnë pasuri strategjike kombëtare dhe rol kyç në ekonomi, ndaj çdo formë koncesioni apo dhënieje në përdorim duhet të shoqërohet me procese të hapura konkurrimi. Sipas tyre, ligje të tilla rrezikojnë të krijojnë përqendrim ekonomik dhe të favorizojnë një numër të kufizuar kompanish të lidhura me pushtetin.

Nga ana tjetër, mbështetësit e politikave të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Edi Rama theksojnë se statusi i investitorit strategjik synon të tërheqë kapital të madh dhe të përshpejtojë zhvillimin e turizmit elitar, duke rritur potencialin ekonomik të vendit.

Debati është shtrirë edhe në rrafshin politik, ku janë ngritur pikëpyetje mbi qëndrimin e opozitës ndaj çështjes së privatizimit apo menaxhimit të aseteve publike. Analistë dhe komentues publikë paralajmërojnë se vendime të tilla kërkojnë transparencë maksimale dhe kontroll institucional, duke qenë se lidhen drejtpërdrejt me pasuritë strategjike të Shqipëria.

Nisma pritet të diskutohet në komisionet parlamentare përkatëse, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ajo do të marrë mbështetjen e nevojshme për t’u kthyer në ligj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit