Janë publikuar pamjet e aksidentit të ndodhur më 8 gusht 2025 në Qafën e Kushovicës, në aksin Levan-Fier, ku u përfshi mjeku italian Michele D’Angelo, 44 vjeç, profesor biologjie në Universitetin e Aquila-s dhe si pasojë e përplasjes humbi jetën 17-vjeçari Elidon Shehaj, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të plagosur.
I riu ndërroi jetë disa ditë pas aksidentit në Spitalin e Traumës në Tiranë, për shkak të plagëve të marra.
Sipas hetimeve, në aksident u përfshinë një mjet tip “Lancia Ypsilon”, i drejtuar nga profesori italian, dhe një “Mercedes”, që drejtohej nga shtetasi shqiptar me inicialet E.S. Ky i fundit dyshohet se ka humbur kontrollin e automjetit, ndërsa lëvizte me shpejtësi mbi normat e lejuara.
D’Angelo u paraqit në polici një ditë pas ngjarjes dhe u mbajt në paraburgim për dy muaj, nën akuzat “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”. Aktualisht ai është liruar, ndërsa Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe pritet t’i komunikojë zyrtarisht akuzën.
Në një konferencë për mediat në Tiranë, avokatët mbrojtës kundërshtuan akuzat, duke deklaruar se klienti i tyre ka respektuar rregullat e qarkullimit dhe nuk mban përgjegjësi për ngjarjen. Avokatja paraqiti versionin e mbrojtjes mbi dinamikën e aksidentit dhe mohoi që D’Angelo të jetë larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërsa avokat tjetër në emër të mbrojtjes, u shpreh se profesori italian ka treguar interes të vazhdueshëm për ngjarjen dhe është i gatshëm të japë shpjegime në çdo moment për organet e drejtësisë.
Çështja pritet të marrë zhvillime të tjera pas komunikimit zyrtar të akuzës nga organi i akuzës.