Përfundon në spital G Bani: Shan me libër shtëpie shtetin

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 16.02.2026, 13:25

Artisti i njohur G-Bani ka reaguar publikisht pasi është shtruar në spital. Sipas artistit, ngjarja ka ndodhur të premten, më 13 shkurt, rreth orës 15:07, kur ai pretendon se ka telefonuar urgjencën shëndetësore për të kërkuar ndihmë mjekësore në banesë. Ai shprehet se ndihma i është refuzuar nga një mjeke, të cilën e identifikon si “Mjekja 65”, e cila, sipas tij, i ka kërkuar të vetë-maste parametrat shëndetësorë.

G-Bani deklaron se i ka shpjeguar se nuk dispononte pajisjet e nevojshme dhe as mundësi fizike për ta bërë këtë, ndërsa shton se është paralajmëruar nga mjekja se mbajtja e aparaturës për matjen e tensionit është e detyrueshme. Ai pretendon se, duke e konsideruar situatën si neglizhencë, ka ndërprerë komunikimin dhe ka kërkuar ndihmë nga menaxheri i tij i cili e ka transportuar privatisht drejt urgjencës.

Ai thekson se ka ndjerë shqetësim për faktin se, sipas tij, iu mohua shërbimi i ambulancës në një moment kur kishte nevojë për ndihmë.

Në reagimin e tij, G-Bani shpjegon se ka vendosur të etiketojë Ministren e Shëndetësisë në komunikimin online për të pyetur nëse një situatë e tillë është normale. Ai pranon se në një postim tjetër ka përdorur gjuhë të papërshtatshme, duke theksuar se kritikat i drejtoheshin shtetit si institucion.

Artisti ndau edhe detaje nga jeta e tij personale, duke treguar se është përballur me vështirësi shëndetësore që në moshë të vogël dhe se është detyruar të largohet nga Shqipëria për shkak të mungesës së infrastrukturës mjekësore për trajtimin e një dëmtimi nga fëmijëria. Ai shton se është i vetëdijshëm që shteti përfaqësohet nga punonjësit e administratës dhe shërbimeve publike.

AI SHKRUAN NË PROFILIN E TIJ NË INSTAGRAM:

"Sqarim: Duke marrë shkas nga disa tituj lajmesh, në lidhje me disa fjalë të mia të ashpra kundrejt segmentit shtetëror që lidhet me shëndetësinë, dua të sqaroj një të pavërtetë që është shkruajtur nga disa media të vogla.

Ditën e Premte, 13 Shkurt, ora 15:07 minuta, kam telefonuar urgjencën shëndetësore për të kërkuar një mjek në shtëpi. Mjekja 65, nga ana tjetër e telefonit më ka refuzuar këtë shërbim, duke më thënë që të vetëvizitohem dhe të mas vetë “parametrat”.

Duke kuptuar tensionin e gjakut dhe ndoshta rrahjet apo pulsin. E kam informuar që nuk disponoj as aparaturat dhe as mundësinë fizike dhe më ka tërhequr vëmendjen duke më thënë që është e detyrueshme të kem aparaturë matje tensioni. Pasi kam kuptuar që po harxhoj energjinë time me një të pacipë e cila po më neglizhonte me kriminalitet, kam kontaktuar mikun dhe menagjerin tim Anton Prendi, i cili më ka transportuar në urgjencë në mënyrë private.

Stafi mjekësor në Spitalin e Traumës më ka trajtuar me dinjitet, respekt dhe profesionalizëm. Sa kaq nuk kam mundur të anashkaloj faktin që jam detyruar të futem në një aventurë shëndetësore për shkak të një mjekeje e cila më ka mohuar një të drejtë themelore njerëzore, ambulancën në një rast sëmundje. Aty, kam vendosur të “etiketoj”/ bëj tag,të Nderuarën Ministren e Shëndetësisë, në dialogun që kam patur me të paskrupulltën Mjeke 65, duke e pyetur a është normal kjo që kishte ndodhur.

Postimi tjetër, ka patur përmbajtje me fjalor të papërshtatshëm për mediat, ku ndërmjet të tjerave kam ofenduar shtetin e Shqipërisë për sjelljen e Mjekes 65 në një moment të tillë. Tituj të tipit “G-Bani shan Ministren e Shëndetësisë” janë të pavërtetë. Jam shumë i vuajtur qysh në moshë të njomë, kam lënë atdheun tim për arsye të mungesës së infrastrukturës së nevojshme për të shëruar dëmtimin nga një aksident në fëmijëri.

Kështu, jam mjaftueshëm i ditur sa të di që shteti nuk përbëhet nga ministrat dhe kryeministri. Fytyra e shtetit është dhe Mjekja 65, edhe punëtori i eAlbania që nuk më shpjegon kush dhe përse më ka ndërruar fjalëkalimin dhe email në eAlbania, dhe të gjithë punonjësit e shtetit. Robotët e Faik Konicës, kam sharë."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit