Breshkat meshkuj të Prespës po zhdukin femrat, i rraskapitin gjatë çiftëzimit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 16.02.2026, 13:17

Në një ishull të izoluar në Golem Grad (Agios Petros), në Liqeni i Prespës, studiuesit kanë zbuluar një pabarazi ekstreme gjinore te breshka Hermann (Testudo hermanni), ku për çdo femër ka plot 19 meshkuj. Sipas një studimi të publikuar në Ecology Letters, ky raport i pazakontë po e shtyn gradualisht popullatën drejt zhdukjes. Ishulli i pabanuar, i cili strehon rreth 1,000 specie dhe karakterizohet nga një pllajë e pyllëzuar me shkëmbinj të pjerrët, dikur konsiderohej habitat i qëndrueshëm për këtë specie.

Ekologu Dragan Arsovski, i lidhur me Shoqërinë Ekologjike të Maqedonisë së Veriut, e nisi studimin në vitin 2008, kur popullata dukej e dendur dhe e shëndetshme. Por numërimet e fundit tregojnë një realitet alarmant, meshkujt dominojnë në mënyrë dërrmuese dhe, në përpjekje për t’u çiftëzuar, shpesh ndjekin të njëjtën femër duke krijuar “zinxhirë” të gjatë. Sipas studiuesve, femrat shpesh përfundojnë të rraskapitura dhe të mbuluara nga disa meshkuj njëkohësisht, duke pësuar lëndime serioze gjatë procesit.

Pasojat janë dramatike për mbijetesën e species në ishull. Rreth tre të katërtat e femrave kanë pësuar lëndime gjenitale, ndërsa disa dyshohet se kanë rënë nga shkëmbinjtë për shkak të ngacmimeve të vazhdueshme. Shkencëtarët theksojnë se presioni i vazhdueshëm nga numri i lartë i meshkujve ul ndjeshëm jetëgjatësinë dhe aftësinë riprodhuese të femrave, duke vënë në rrezik të ardhmen e gjithë popullatës së breshkave Hermann në këtë ishull të izoluar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit