Qytetarët kanë dy ditë të bllokuar, a punojnë borëpastrueset në Theth?

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 16.02.2026, 12:41

Prej dy ditësh, dhjetëra banorë dhe turistë kanë mbetur të izoluar në Theth për shkak të bllokimit të rrugës në tunelin e Qafë Thore. Reshjet e borës kanë ndërprerë qarkullimin, duke lënë të bllokuar persona që nuk mund të largohen deri në një njoftim të qartë për hapjen e aksit.

Shqetësimi më i madh nuk është vetëm bora, por mungesa e reagimit dhe transparencës nga ana e institucioneve. Të izoluarit thonë se nuk kanë asnjë informacion të saktë nëse borëpastrueset po punojnë realisht apo nëse rruga është lënë në harresë. Në një zonë që promovohet si atraksion turistik kombëtar, heshtja zyrtare është e papranueshme.

Parashikimet për përkeqësim të motit e bëjnë situatën edhe më alarmante. Çdo orë pa ndërhyrje konkrete rrit rrezikun që izolimi të zgjasë, ndërsa dhjetëra qytetarë mbeten në pritje, pa siguri dhe pa përgjigje.

Nëse shteti mbledh taksa dhe promovon turizmin malor, duhet të garantojë minimalisht mirëmbajtjen e rrugëve dhe funksionimin e borëpastrueseve. Përndryshe, Thethi mbetet një kartolinë për verën dhe një zonë e braktisur sapo bie bora.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit