330 mln € për aksin Thumanë-Kashar, dalja në gjendje katastrofike

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 16.02.2026, 11:03

Dalja e aksit Thumanë–Kashar, një segment që duhej të ishte kartëvizita e infrastrukturës moderne, sot është kthyer në një provë durimi për çdo drejtues mjeti që e përshkon. Ajo që në letër prezantohet si një investim strategjik, në terren shfaqet si një rrugë e lënë në mëshirë të gropave, amortizimit dhe mungesës së ndërhyrjes.

Në pikën e daljes, asfalti është i dëmtuar rëndë. Gropat e thella janë bërë pjesë e përditshmërisë, duke e bërë qarkullimin të vështirë dhe të rrezikshëm. Shoferët detyrohen të manovrojnë papritur për t’i shmangur, me pasoja që variojnë nga dëmtimi i gomave e deri te rreziku real për aksidente. Për një aks që tarifon kalimin dhe që është ndërtuar me kosto marramendëse, kjo situatë është më shumë se neglizhencë – është tallje me qytetarët.

Ironia bëhet edhe më e madhe kur kujtojmë faturën financiare të projektit. Për ndërtimin e këtij aksi janë dhënë fillimisht rreth 270 milionë euro, shifër që më pas u rrit në 330 milionë euro, në favor të kompanisë Gener 2, në pronësi të Bashkim Ulaj. Një investim i këtyre përmasave do të duhej të garantonte standarde të larta, mirëmbajtje të vazhdueshme dhe siguri maksimale për përdoruesit e rrugës. Por realiteti në terren tregon një histori tjetër: dalje të degraduar, mungesë ndërhyrjeje të menjëhershme dhe një heshtje institucionale që rëndon edhe më shumë situatën.

Shoferët paguajnë tarifë, paguajnë taksa dhe në fund paguajnë edhe dëmet e makinave të tyre. Ndërsa kompania përfiton miliona, qytetarët përballen me gropa. Në një vend ku investimet publike shpallen me bujë, por lihen pa llogaridhënie, dalja e Thumanë–Kasharit është simbol i një problemi më të madh: mungesës së kontrollit, transparencës dhe përgjegjësisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit