Dashuria nuk thuhet më thjesht me “të dua”. Për Gen Z (brezi i ri, çunat e gocat e lindur pas viteve ’97), ajo përkufizohet me terma që duken si kode sekrete, por që në fakt tregojnë shumë për pasiguritë dhe pritshmëritë e kohës. Nga “situationship” (lidhje pa emër, as mish as peshk) te “talking stage” (faza e muhabetit, kur flasin gjithë ditën e s’dinë ç’janë), marrëdhëniet kanë hyrë në një epokë ku etiketat shmangen dhe angazhimi negociohet. Është një brez që kërkon ndjesi, por druhet nga përgjegjësia, që afrohet shpejt, por e ka gjithmonë një derë hapur për t’u tërhequr.
Në këtë realitet të filtruar nga rrjetet sociale, edhe refuzimi ka marrë formë të re. “Ghosting” (zhdukje pa nam e nishan) është bërë mënyra më e zakonshme për të mbyllur një histori, duke e lënë tjetrin me pikëpyetje. Para tij shpesh vjen “love bombing” (të mbyt me fjalë të ëmbla e premtime sa për sy e faqe), një entuziazëm i ekzagjeruar që digjet shpejt. Edhe brenda një lidhjeje, kufijtë janë bërë më delikatë, “micro-cheating” (tradhti e vogël, si me hile të fshehtë) përfshin mesazhe apo flirt virtual që nuk janë tradhti klasike, por që cenojnë besimin. Janë dinamika që tregojnë sa shumë është zhvendosur intimiteti në hapësirën online.
Ndërkohë, mënyra si prezantohet dashuria është bërë po aq e rëndësishme sa vetë ajo. “Soft launch” (e nxjerr lidhjen me pikatore, një dorë a një hije në foto) dhe “hard launch” (e shpall me bujë, foto me tag e deklarata publike) janë rituale moderne të konfirmimit. Debati më i madh sot zhvillohet mes “bare minimum” (minimumi i mundshëm, sa për të thënë që po bën detyrën) dhe “princess treatment” (trajtim si princeshë, me përkujdesje të plotë e vëmendje të vazhdueshme). Në thelb, ky fjalor nuk është thjesht modë, ai pasqyron një brez që kërkon më shumë siguri emocionale, më shumë transparencë dhe më shumë përkujdesje, por që ende po mëson si ta ndërtojë një lidhje të qëndrueshme në një botë ku gjithçka është e shpejtë, publike dhe e përkohshme.
Si e komentoni fjalorin e dashurisë së çunave dhe gocave të lindur pas viteve ’97?