“Mafia shqiptare depërton në Senegal, si koordinohet trafiku i drogës”

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 16.02.2026, 10:24

Një hetim i publikuar nga Le Monde nxjerr në pah rolin strategjik të Senegali në të ashtuquajturën “Autostrada 10”, korridori i ri detar i kokainës që lidh Amerikën Latine me Evropën përmes Afrikës Perëndimore. Sipas investigimit, Porti i Dakarit është kthyer në një pikë kyçe tranziti, falë lidhjeve të drejtpërdrejta me porte në Spanjë, Belgjikë dhe Francë. Të paktën një e treta e kokainës së konsumuar në Evropë kalon tashmë përmes kësaj rruge, duke shmangur dyshimet që ngjallin ngarkesat direkte nga Amerika Latine.

Hetimi, i mbështetur në zbërthimin e platformës së koduar Sky ECC nga autoritetet franceze, zbulon mbi një miliard mesazhe mes trafikantëve, ku përmenden qartë lidhjet dhe korrupsioni në portet senegaleze. Sipas gazetës, koordinatorë shqiptarë në terren monitorojnë zhvillimet politike dhe lëvizjet e forcave të rendit për të garantuar kalimin e ngarkesave. Një ton kokainë i sekuestruar në vitin 2020 në portin e Antverpit çoi hetuesit drejt figurave kyçe të klanit malazez të Kavaçit, përfshirë Radosh Vicker, duke zbuluar një rrjet të sofistikuar që përdor kontejnerë me mallra si kakao, banane apo çimento për të fshehur drogën.

Sipas Le Monde, Afrika Perëndimore ofron terren të favorshëm për këto organizata për shkak të kontrolleve të dobëta portuale dhe institucioneve të brishta, ku vetëm rreth 2% e kontejnerëve inspektohen. Rrjeti i trafikut përfshin aleanca mes mafias ballkanike, 'Ndrangheta italiane dhe Primeiro Comando da Capital (PCC) në Brazil. Ekspertët paralajmërojnë se, me rritjen e prodhimit të kokainës në Amerikën Latine dhe forcimin e kontrolleve në rrugët tradicionale, korridori afrikan pritet të bëhet boshti kryesor i trafikut drejt Evropës në vitet në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit