Dyert automatike të supermarketit hapen, nëna ecën drejt daljes dorë për dore me vajzën një vjeçe e gjysmë, ndërsa babai i ndjek pranë me karrocën e mbushur me blerje. Një skenë krejt e zakonshme, që brenda pak sekondash do të shndërrohej në makth: një i panjohur u hodh papritur përpara, në përpjekje për t’i rrëmbyer të miturën.
“Ishin çaste të tensionuara, jemi shumë të tronditur”, u kanë deklaruar prindërit forcave të rendit pas arrestimit të agresorit. Me urdhër të prokurores Giulia Angeleri, në burg, në pritje të marrjes në pyetje për vërtetimin e arrestit, ndodhet një 47-vjeçar rumun, jo rezident.
“Nuk e kuptuam menjëherë seriozitetin e situatës. Më shumë se për një rrëmbim, menduam se donte t’i bënte keq”, shkruan Corriere della Sera.
Hetuesit po përpiqen të zbardhin arsyet pse 47-vjeçari e mori në shënjestër vogëlushen, duke e tërhequr nga këmba dhe duke i shkaktuar thyerje të femurit. Sipas të dhënave paraprake, familja nuk e njihte agresorin.
“E kuptova se instinkti i njeriut është ai i mbijetesës. Të shohësh vajzën tënde në rrezik ishte e tmerrshme dhe reagimi ishte i menjëhershëm. Nuk mendon, vepron”, ka rrëfyer babai i së miturës, Matteo.
Ngjarja ndodhi të shtunën, rreth orës së drekës, dhe zgjati afro tridhjetë sekonda, momente ankthi të kapura nga kamerat e Esselunga-s. “Supermarketi ishte plot, nuk e pret një gjë të tillë”, vijon babai, i cili fillimisht mendoi se burri ishte ulur për të lidhur këpucët. Por sapo hyri, 47-vjeçari u kryqëzua me familjen, e kapi vajzën nga këmba dhe e ngriti lart, ndërsa nëna përpiqej ta mbante fort.
Babai reagoi menjëherë, duke u hedhur mbi të dyshuarin, i cili akuzohet për tentativë rrëmbimi të një të miture, vepër e rënduar për shkak të moshës së viktimës, si dhe për plagosje të rëndë. Vogëlushja, e vendosur në allçi, është lëshuar nga spitali. “Mund të them se shkoi mirë në fatkeqësi", thotë prindi, duke falënderuar ata që ndërhynë. “Vajza sot është e buzëqeshur, me allçi, dhe po luan.”
Duke e goditur 47-vjeçarin në shpinë, babai arriti ta rrëzonte në tokë, me ndihmën e rojeve të sigurisë dhe disa klientëve, për ta dorëzuar më pas në polici. “Dëgjova britma therëse, nëna bërtiste ‘vajza ime’”, tregon një dëshmitare që preferon të mbetet anonime. “E mbante vajzën fort pas vetes, u tërhoq edhe ajo zvarrë në tokë. Burri nuk e lëshonte.”
Në momentin e ndalimit, 47-vjeçari, që flet italisht me vështirësi nuk bëri asnjë deklaratë. Në xhep i gjetën një pasaportë dhe 5 euro. I padënuar më parë dhe pa patologji të njohura psikiatrike, ai rezulton të ketë vetëm disa regjistrime kontrollesh kufitare, për shkak të lëvizjeve të shpeshta. Në Bergamo duket se kishte mbërritur së fundmi.
Dy ditë para ngjarjes ishte kontrolluar nga policia pranë urgjencës së një spitali, ku kishte kërkuar strehim pa shfaqur sjellje agresive. Sipas raportimeve, ai kishte kërkuar të rikthehej në Rumani me ambulancë.