Dy automjete të gjetura pak ditë më parë në Babicë të Vlorës dyshohet se do të përdoreshin nga një grup kriminal për kryerjen e një atentati. Zbulimi i tyre erdhi pas telefonatës së një qytetari, e cila vuri në lëvizje strukturat e Policisë dhe çoi në bllokimin e mjeteve para se të kryhej ndonjë ngjarje e rëndë.
Bëhet fjalë për një automjet tip “Nissan” dhe një “Audi Q5”, të dyja me targa të huaja, të cilat rezultuan të vjedhura. Brenda mjeteve u gjetën edhe tre bidona me lëndë djegëse (benzinë), çka forcon dyshimet se ato do të përdoreshin në një akt kriminal.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se njëri prej automjeteve ishte vjedhur në Greqi, ndërsa tjetri në Kavajë. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se grupi kriminal që dyshohet se do t’i përdorte mjetet, u kishte fshirë numrat e shasisë, në përpjekje për të vështirësuar identifikimin dhe punën e hetuesve.
“Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këto automjete do të përdoreshin për kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale”, njoftoi policia.
Fakti që automjetet u sekuestruan përpara se të përdoreshin në ndonjë krim, ka rritur shpresat e hetuesve për gjetjen e gjurmëve të gishtave apo provave të tjera materiale, që mund të çojnë në identifikimin e personave që i fshehën në Babicë.
Ndërkohë, policia po kryen verifikime për vendndodhjen e disa prej eksponentëve më të rrezikshëm të dy grupeve kriminale që veprojnë në Vlorë, për të përcaktuar nëse ndodhen brenda apo jashtë territorit të vendit.