Reshjet e dendura të dëborës dhe rënia e ortekëve kanë sjellë bllokimin e plotë të aksit Qafë Thore–Theth, duke lënë dhjetëra automjete të bllokuara në rrugë për disa orë.
Qytetarë që ndodhen në zonë raportojnë se situata është e vështirë dhe se deri më tani nuk ka pasur ndërhyrje nga mjetet borëpastruese. “Jemi bllokuar në Theth prej orësh, nuk ka asnjë borëpastruese. Ka qindra makina në pritje dhe mbi të gjitha gra shtatzëna e me fëmijë të vegjël,” shkruan një prej tyre.
Një tjetër qytetar shprehet: “Ndodhemi në Qafë Thore dhe kemi më shumë se 4 orë të bllokuar. Deri tani asnjë borëpastruese. Jemi mbi 40 makina të bllokuara.”
Sipas informacioneve nga terreni, ortekët kanë rënë në segmentin pranë tuneleve panoramike, duke e bërë të pamundur qarkullimin dhe duke krijuar rrezik për rrëshqitje të tjera. Kushtet e motit dhe shtresat e paqëndrueshme të dëborës në zonat malore kanë rënduar situatën.
Autoritetet pritet të ndërhyjnë për zhbllokimin e aksit, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të shmangin lëvizjen drejt këtij segmenti deri në stabilizimin e plotë të situatës.