Një video e vitit 2024 me një deklaratë 'të çuditshme' të presidentit rus Vladimir Putin po rikthehet sërish në qarkullim në rrjet, duke nxitur diskutime të reja mbi kuptimin dhe kontekstin e saj.
“Ekziston një dëshirë shumë e fortë tek elitat perëndimore për të ngrirë gjendjen aktuale, këtë rend të padrejtë në çështjet ndërkombëtare. Ata janë mësuar që për shekuj me radhë të mbushin barqet e tyre me mish njeriu dhe xhepat plot me para. Por, ata duhet ta kuptojnë se ‘Balloja e Vampirëve’ po përfundon.”
Deklarata ishte një sulm i drejtpërdrejtë retorik ndaj asaj që Moska e konsideron si dominim historik të Perëndimit në sistemin ndërkombëtar. Me terminologji të ashpër dhe metafora të forta, Putin akuzonte “elitat perëndimore” për shfrytëzim ekonomik dhe politik ndër dekada, duke i krahasuar me “vampirë” që ushqehen me burimet dhe energjinë e vendeve të tjera.
Shprehja “mbushin barqet me mish njeriu” dhe “Balloja e Vampirëve” nuk është përdorur në kuptim literal, por si figurë e fortë retorike për të përshkruar, sipas tij, një sistem global që favorizon fuqitë tradicionale perëndimore në kurriz të pjesës tjetër të botës.
Në thelb, mesazhi i tij ishte politik: rendi aktual botëror, i ndërtuar pas Luftës së Ftohtë, po sfidohet dhe po shkon drejt fundit. Me këtë frazë, Putin sinjalizonte se epoka e dominimit të pakushtëzuar të Perëndimit po zbehet dhe se po lind një realitet i ri shumëpolar.
Rikthimi i kësaj deklarate në rrjet ka ardhur në një moment kur debatet globale mbi transparencën, elitat dhe ndikimin politik janë intensifikuar. Për shumë përdorues në rrjete sociale, fraza “Balloja e Vampirëve po përfundon” po interpretohet sot në një kontekst më të gjerë simbolik, duke u lidhur me zhvillime të fundit ndërkombëtare.
Megjithatë, në momentin kur u bë deklarata në vitin 2024, ajo ishte e drejtuar qartësisht ndaj rendit ndërkombëtar dhe rivalitetit gjeopolitik mes Rusisë dhe vendeve perëndimore, jo ndaj një ngjarjeje specifike.
“Balloja e Vampirëve”, si metaforë, synonte të përçonte idenë e një fundi epoke, një mesazh simbolik që vazhdon të përdoret në diskursin politik rus për të përshkruar ndryshimet në balancat globale të fuqisë.