Çmenduri në ‘Giuseppe Meazza’: Zieliński fundos Juven në shtesë, Interi “arratiset” drejt titullit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.02.2026, 23:13

Një ndeshje që do të mbahet mend gjatë. Inter Milan triumfoi 3-2 ndaj Juventus në "Giuseppe Meazza", në një përballje që kishte gjithçka: gola, përmbysje, polemika dhe emocione deri në sekondën e fundit.

Takimi nisi me ritëm të lartë dhe me surpriza. Në minutën e 16-të, një krosim i devijuar përfundoi në rrjetë pas një gabimi të portierit Di Gregorio dhe prekjes së Andrea Cambiaso, duke i dhënë avantazhin Interit. Por vetë Cambiaso u rehabilitua vetëm 10 minuta më vonë, duke barazuar shifrat në 1-1 pas një aksioni të shpejtë nga krahu.

Momenti që ndryshoi ndeshjen erdhi në minutën e 42-të. Pas një kundërsulmi, Pierre Kalulu u ndëshkua me karton të dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja, në një vendim që ka ndezur polemika, pasi kontakti me Bastonin u konsiderua i lehtë nga shumëkush. Me 10 lojtarë, Juventusi u detyrua të mbrohej pjesën më të madhe të kohës.

Në pjesën e dytë, presioni i Interit u shtua. Pas disa tentativave radhazi, 20-vjeçari Francesco Pio Esposito, i futur në lojë vetëm 10 minuta më parë, shënoi me kokë për 2-1 në minutën e 76-të. Ai u bë lojtari i dytë më i ri në historinë e Interit që shënon në një “Derby d’Italia”, pas Mario Balotellit.

Megjithatë, Juventusi nuk u dorëzua. Në minutën e 84-t, Manuel Locatelli përfitoi nga hapësirat e lëna nga zikaltërit dhe barazoi 2-2 me një goditje të menjëhershme brenda zonës.

Kur dukej se ndeshja do të mbyllej në barazim, në minutën e 91-të, Piotr Zielinski nxori një goditje perfekte me të majtën nga jashtë zone, duke dërguar topin në cep dhe duke vulosur fitoren 3-2 për Interin. Ishte goli i pestë në kampionat për polakun këtë sezon.

Me këtë fitore, Interi shkëputet në +8 pikë nga Milani, që ende nuk ka luajtur ndeshjen e tij, ndërsa Juventusi mbetet në kuotën e 46 pikëve, në të njëjtin nivel me Romën.

Një “Derby d’Italia” që ofroi gjithçka nga futbolli italian: cilësi teknike, tension maksimal dhe dramë deri në frymën e fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit