Autoritetet holandeze kanë gjobitur Shtëpinë e Modës Louis Vuitton me 500,000 euro për shkelje të ligjit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Vendimi u mor pas një hetimi të nisur nga Prokurori Publik Kombëtar, i cili zbuloi se kompania nuk kishte verifikuar si duhet identitetin e klientëve që kryenin blerje të mëdha me para në dorë.
Hetimi filloi nga një rast që përfshin një të dënuar shqiptar nga Saranda, Thanas Bako, 55 vjeç, i cili kishte grumbulluar të ardhura të paligjshme dhe i përdorte për të pastruar paratë nëpërmjet blerjeve të artikujve luksoz.
Sipas prokurorëve holandezë, një grua 36-vjeçare përdori paratë e Bakos për të blerë mallra luksoze, përfshirë edhe produkte të markës Louis Vuitton. Midis gushtit 2021 dhe shkurtit 2023, ajo shpenzoi më shumë se 2 milionë euro për çanta dhe artikuj të tjerë, të cilat më pas i dërgoi në Kinë për rishitje. Kjo praktikë maskoi të ardhurat e paligjshme si të ardhura nga tregtia e mallrave të luksit.
Hetimi zbuloi gjithashtu se një person i brendshëm i Louis Vuitton, një ish-asistente shitjesh, ndihmoi gruan të shmangte deklarimin e burimit të parave dhe të shpërndante blerjet për të mos tërhequr vëmendjen e autoriteteve. Gruaja rezulton të ketë qenë e afërt me Thanas Bakon dhe vepronte në emër të tij.
Sipas ligjit holandez, nga 1 janari 2026, tregtarët nuk mund të pranojnë pagesa në para cash mbi 3,000 euro. Prokurorët theksuan se markat e luksit kanë të njëjtin detyrim si bankat për të verifikuar klientët sipas rregullave kundër pastrimit të parave.
Thanas Bako u dënua në shtator 2024 nga një gjykatë në Roterdam me 7 vjet burg për rolin e tij si “bankier kriminal i nëndheshëm” në një rrjet kriptomonedhash me vlerë qindra milionë euro. Ai u arrestua në Athinë më 31 maj të vitit të kaluar dhe tani ndodhet në qeli në Holandë. Bako thuhet se ka drejtuar një rrjet korrierësh dhe përdorte kriptomonedha për të pastruar rreth një çerek miliard eurosh.