Një qytetar nga Fieri ka dërguar në redaksinë tonë një video nga unaza e qytetit, ku një segment rreth 400 metra është kthyer në një problem serioz për drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës.
Sipas denoncimit, kjo pjesë e rrugës është lënë prej kohësh në gjendje të amortizuar, me gropa të shumta, çarje dhe sipërfaqe të dëmtuar, duke e bërë qarkullimin të vështirë dhe të rrezikshëm. Çdo ditë, automjetet detyrohen të kalojnë mes dëmtimeve të theksuara të rrugës, çka sipas qytetarit po sjell prishje të shpeshta të mjeteve dhe kosto të vazhdueshme për riparime.
“Na shqyhen makinat çdo ditë, është një tmerr i vërtetë. 400 metra rrugë dhe askush nuk merr masa. Nuk dihet sa herë janë investuar para për këtë segment, por sot është në këtë gjendje,” – shprehet denoncuesi.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për rikonstruksionin e këtij aksi, pasi situata jo vetëm po dëmton automjetet, por rrit edhe rrezikun për aksidente.