Banorët e Rrjollit sulmojnë me gurë fadromat e oligarkut Baç Ulaj, sherr me Policinë: Do vdesim këtu

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 14.02.2026, 13:04

Protesta e banorëve të zonës së Rrjollit është shoqëruar me tensione këtë të premte, teksa ata kanë tentuar të ndalojnë vijimin e punimeve për ndërtimin e resortit luksoz të oligarkut Bashkim Ulaj. Banorët, të mbështetur nga familjarët e tyre, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, kanë dalë në terren për të bllokuar makineritë e kompanisë ndërtuese Gener 2.

Sipas raportimeve nga vendngjarja, situata është përshkallëzuar kur disa protestues kanë hedhur gurë në drejtim të fadromave, duke u kërkuar punonjësve të ndërpresin çdo tentativë për të nisur punimet. Në zonë kanë mbërritur edhe forca të shumta policie, të cilat po përpiqen të mbajnë situatën nën kontroll dhe të shmangin përplasjet.

Banorët e Rrjollit, që ndodhet në zonën e Velipojë, pretendojnë se toka ku po zhvillohet projekti është pronë e trashëguar nga paraardhësit e tyre. Ata kanë depozituar një kërkesë zyrtare pranë organit të akuzës, duke kërkuar verifikimin dhe njohjen ligjore të dokumenteve që, sipas tyre, dëshmojnë pronësinë mbi tokën ku parashikohet ndërtimi i resortit turistik.

Ka pasur tensione gjatë protestës, ku banorët janë përplasur me forcat e rendit në përpjekje për të penguar vijimin e punimeve. Protestuesit bllokuan automjetet duke u ulur në rrugë dhe duke refuzuar të largohen nga zona.

“Punëtorë ju punëtorë ne, me gjak ju me gjak ne”, shprehen ata ndërsa kanë deklaruar edhe se janë gati të japin edhe jetën për tokën e të parëve.

Banorët kanë theksuar vendosmërinë për të mbrojtur pronat dhe trashëgiminë familjare, duke paralajmëruar se nuk do të tërhiqen nga kundërshtimi i tyre.

“Do të vdesim këtu për tokën tonë dhe të gjyshërve”, thanë ata.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit