Plagosja e 18-vjeçares Natalie Murtati në Tiranë ka ngjallur dyshime mbi mënyrën se si është paraqitur ngjarja nga autoritetet. Policia nxitoi që ta klasifikonte rastin si vetëplagosje, duke u referuar në deklaratën zyrtare edhe pamjeve të kamerave të sigurisë të hotelit ku dyshohet se ka ndodhur incidenti.
Megjithatë, raportimet nga gazetarët në terren sugjerojnë të kundërtën: hotel “Gjuta”, vendi i dyshuar i ngjarjes, nuk ka pasur kamera sigurie. Kjo ka ngritur pyetje të rëndësishme: nëse kamerat nuk ekzistonin, si i gjeti policia pamjet filmike?
Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit deklaroi se:
“Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri.”
Por sipas burimeve nga terreni, mungesa e kamerave ka vështirësuar verifikimin e dinamikës së ngjarjes dhe ka lënë pa prova filmike momentin kritik të incidentit.
18-vjeçarja ka deklaruar para hetuesve se ka tentuar të vetëplagoset, por burime pranë grupit hetimor njoftojnë se ekzistojnë dyshime për rrethana të tjera të mundshme të plagosjes – një pistë që ende nuk është verifikuar.
Ndërkohë, anëtarët e familjes Gjuta, të cilët dyshohet se kanë fshehur fillimisht ngjarjen, kanë shpjeguar se vepruan nga frika për jetën e vajzës dhe për të shmangur përgjegjësinë penale, pasi incidenti ndodhi në ambientet e biznesit të tyre.
Këto zhvillime shtojnë paqartësitë mbi versionin zyrtar dhe rrethanat reale të ngjarjes, duke e bërë të domosdoshëm një sqarim më të thelluar nga autoritetet lidhur me kamerat e sigurisë dhe ecurinë e hetimeve.