Janë bërë publike detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Qerretit, në Durrës, ku një konflikt brenda familjes përfundoi me vetëplagosjen e kryefamiljarit.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasi Ardian Varrosi, i dyshuar se ndodhej në gjendje të dehur, ka kërcënuar vajzën e tij me thikë, duke i thënë se do ta vriste. Burime bëjnë me dije se ai kishte ushtruar edhe më herët dhunë fizike ndaj saj. E reja ka mundur të largohet nga banesa dhe ka kërkuar ndihmë te fqinjët.
Banorët e zonës kanë ndërhyrë menjëherë për të qetësuar situatën, por ai ka vijuar me kërcënime edhe ndaj tyre. Në vendngjarje kanë mbërritur dy patrulla policie, të cilat kanë ndërhyrë për të neutralizuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit, kryefamiljari dyshohet se është vetëplagosur me thikë në pjesën e qafës. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Durrësit, ku po merr trajtim mjekësor dhe ndodhet nën mbikëqyrje.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Janë marrë në pyetje familjarët dhe dëshmitarët, ndërsa pritet që, pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, të merret një deklaratë edhe nga vetë i dyshuari.