Ekzekutimi i Gilmando Danit, Prokuroria e Tiranës e paaftë të mbledh prova, çështja i kalon SPAK

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 14.02.2026, 10:44

Atentati i ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, si dhe agjenti i AMP-së Muçi Shaljani, alias Mustafa Sheqeri, tashmë ka kaluar në kompetencë të SPAK. Pas tre muajsh hetime, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën, duke ia referuar çështjen Prokurorisë së Posaçme.

Nga hetimet paraprake rezulton se atentati dyshohet të jetë organizuar nga një grup i strukturuar kriminal. Ky dyshim mbështetet në disa elementë: numrin e pjesëmarrësve në sulm, ku u përfshinë tre qitës; automjetet e përdorura për realizimin e atentatit; ndërprerjen e energjisë elektrike në zonë para, gjatë dhe pas ngjarjes; si dhe profilin e shënjestrës, një person i dënuar më herët për gjobëvënie.

Megjithëse është arritur në përfundimin se ngjarja ka qenë e mirëorganizuar dhe e realizuar nga një grup kriminal, hetuesit ende nuk kanë arritur të identifikojnë autorët konkretë.

Gilmando Dani, i dënuar për gjobëvënie dhe pjesëmarrje në grup kriminal së bashku me Emiljano Shullazin dhe persona të tjerë, u qëllua për vdekje nga tre persona që i prenë rrugën automjetit me të cilin po udhëtonte. Ai sapo ishte kthyer nga Spanja, ku kishte udhëtuar në shoqërinë e mikut të tij, agjentit të AMP-së Muçi Shaljani. Ky i fundit mbeti i plagosur në atentat dhe ndërroi jetë më vonë në Spitalin e Traumës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit