Një incident i rëndë në familje është regjistruar mbrëmjen e së premtes në zonën e Qerretit, në Durrës, ku babai ka kërcënuar me thikë vajzën e tij dhe më pas ka plagosur veten.
Sipas burimeve, autori i ngjarjes është Ardian Varrosi, i cili dyshohet se ndodhej në gjendje të dehur në momentin e konfliktit. Ai ka kërcënuar vajzën e tij me thikë, duke i shkaktuar panik dhe frikë, ndërsa më herët raportohet se kishte ushtruar edhe dhunë ndaj saj.
E reja ka arritur të largohet nga banesa dhe ka kërkuar ndihmë te fqinjët. Këta të fundit kanë ndërhyrë menjëherë, por janë përballur gjithashtu me kërcënime nga kryefamiljari.
Në vendngjarje kanë mbërritur dy patrulla policie, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e situatës dhe shmangien e një përshkallëzimi të mëtejshëm. Në momentin e ndërhyrjes së efektivëve, burri ka plagosur veten me thikë dhe është transportuar me urgjencë në spital.
Burime nga spitali i Durrës bëjnë me dije se ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe gjendja e tij shëndetësore po monitorohet.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Janë marrë në pyetje familjarët dhe pritet që, pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, të merret edhe dëshmia e autorit të dyshuar.