“Grenell u përplas me Susie Wiles”, shefja e stafit reagon: Nuk ka pasur asnjë sherr

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 13.02.2026, 22:39

Shefja e stafit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Susie Wiles, ka reaguar pas një artikulli të publikuar nga Daily Mail, duke mohuar kategorikisht se ka pasur një përplasje me Richard Grenell gjatë Konventës Kombëtare Republikane.

Sipas raportimit të medias britanike, mes Wiles dhe Grenell dyshohej se kishte pasur një debat lidhur me kohën e fjalimit të këtij të fundit në Konventën Kombëtare Republikane, debat që – sipas burimeve pranë Shtëpisë së Bardhë – ishte përshkallëzuar në tone të ashpra dhe mesazhe fyese. Artikulli sugjeronte se episodi kishte ndikuar negativisht në pozicionin e Grenell dhe në mosangazhimin e tij në poste të nivelit të lartë në mandatin e dytë të Trump.

Megjithatë, Wiles ka telefonuar redaksinë e Daily Mail për të kundërshtuar këto pretendime. “Ai nuk është miku im më i mirë. Ne nuk jemi të afërt, dhe ideja që kemi pasur ndonjë sherr, nuk e di… dhe nuk mendoj se ai ndihet kështu për mua,” është shprehur ajo.

Ajo ka shtuar se nuk ka pasur asnjë debat të tillë: “Nuk mund të them që kurrë nuk jam përlotur, por kjo ndodh rrallë dhe kurrë për shkak të tij… Ky debat thjesht nuk ka ndodhur.”

Edhe vetë Grenell ka mohuar më herët çdo përplasje me shefen e stafit, duke deklaruar se ruan marrëdhënie miqësore me të.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit