Brenda pak orësh, administrata e lartë e Këshillit të Ministrave ka pësuar një ndryshim rrënjësor. Pas 13 viteve në detyrë, Engjëll Agaçi është larguar nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm, një lëvizje që vjen menjëherë pas dëshmisë së tij në Prokurorinë e Posaçme.
Gjatë paradites së sotme, Agaçi u paraqit në SPAK ku u mor në pyetje për rreth tre orë lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës. Pas daljes nga prokuroria, ai deklaroi se mbetet në dispozicion të drejtësisë, por vetëm pak kohë më pas u mësua dorëheqja e tij nga funksioni që mbante që prej vitit 2013, kur Edi Rama erdhi në krye të qeverisë.
Burime për mediat bëjnë me dije se pasardhësja e tij është prezantuar nga vetë Kryeministri gjatë mbledhjes së qeverisë. Ajo është Elsonida Rama, një emër që vjen nga strukturat teknike të ligjit.
Më parë, zj. Rama ka shërbyer në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, një sektor kyç për hartimin e legjislacionit dhe akteve normative.
Engjëll Agaçi ka qenë një nga bashkëpunëtorët më jetëgjatë të Kryeministrit Rama, duke shërbyer si hallka kryesore mes vendimmarrjes politike dhe zbatimit ligjor të akteve të qeverisë. Zëvendësimi i tij me Elsonida Ramën shënon një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e brendshme të Kryeministrisë, në një kohë kur disa procese hetimore po prekin zyrtarë të lartë.