Një video e një 92-vjeçareje në Kinën lindore është bërë virale në rrjetet sociale, pasi ajo është filmuar duke kapërcyer një portë metalike 2.15 metra të lartë për t’u larguar nga azili ku qëndronte në provincën Shandong.
Pamjet tregojnë të moshuarën teksa kap me shkathtësi majën e portës, gjen mbështetje për këmbët dhe për vetëm 24 sekonda arrin ta kalojë plotësisht pengesën. Sipas drejtorit të shtëpisë së të moshuarve në qytetin Yantai, gruaja vuan nga Alzheimer i rëndë. Ai shtoi se 92-vjeçarja, e gjatë 1.6 metra dhe me interes të veçantë për ushtrime fizike dhe ngjitje, u gjet më pas nga stafi në afërsi të institucionit.
Lëvizjet e saj të shkathëta, që sfidonin moshën, ngjallën habi dhe admirim te përdoruesit e rrjeteve sociale në Kinë. Megjithatë, pati edhe reagime shqetësuese, ku disa komentues shprehën frikën për sigurinë e saj, duke theksuar rrezikun e mundshëm të rënies gjatë kapërcimit të portës.