Ish-kryeministri i Norvegjisë dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, është akuzuar për “korrupsion të rëndë” lidhur me marrëdhëniet e tij me financierin amerikan të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Akuza erdhi pasi Këshilli i Evropës i hoqi Jaglandit imunitetin diplomatik që kishte për shkak të detyrës së tij të mëparshme.
Avokati i Jaglandit deklaroi se klienti i tij mohon çdo përgjegjësi penale dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet. Autoritetet norvegjeze kanë kontrolluar tre prona të ish-kryeministrit dhe pritet që ai të merret në pyetje.
Dosjet e publikuara në SHBA tregojnë se Epstein kishte mbuluar shpenzimet e udhëtimeve të Jaglandit dhe familjes së tij drejt pronave në Paris, Nju Jork dhe Palm Beach. Në një prej emaileve të shkëmbyera më 25 maj 2012, Jagland përmend “vajzat e mrekullueshme” shqiptare, pas një vizite në Tiranë.
Ky zhvillim hedh dritë mbi lidhjet e ish-diplomatit norvegjez me një nga figurat më kontroverse ndërkombëtare të viteve të fundit.