Mësohet se Mirlinda Kërçanaj nuk do të jetë më në krye të AKSHIT, pasi ka paraqitur dorëheqjen e saj me efekt të menjëhershëm më 10 shkurt.
Sipas burimeve mediatike, drejtimi i agjencisë i është besuar tashmë Igli Tafa, i cili pritet të marrë përgjegjësitë për menaxhimin e projekteve dhe politikave në fushën e teknologjisë dhe shërbimeve digjitale.
Kërçanaj ndodhet aktualisht nën hetim nga SPAK, e dyshuar për shkelje që lidhen me procedurat e tenderimeve në institucionin që drejtonte. Ndaj saj është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie” nga GJKKO.
Që pas vendosjes së kësaj mase, funksionet drejtuese në agjenci i ishin deleguar përkohësisht Romina Kostani, e cila mbante postin e drejtoreshës së Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe projekteve e-Gov të financuara nga fondet e huaja.
Ndryshimi në drejtimin e AKSHI-t vjen në një moment kur institucioni është në fokus të hetimeve dhe zhvillimeve të rëndësishme lidhur me menaxhimin e projekteve teknologjike në vend.