Janë zbardhur detaje të reja nga tentativa e grabitjes me armë që ndodhi mesditën e së enjtes në filialin e FiBank në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, autori, 61-vjeçari Bardhyl Fusha, ka deklaruar se kishte rreth 70 milionë lekë të vjetra borxhe të pa shlyera tek punëtorët, ndërsa armën e zjarrit e mbante që prej vitit 1997.
Fusha ka treguar se kishte zgjedhur pikërisht këtë filial për grabitje, pasi kishte kryer aty më parë pagesa dhe e njihte ambientin. Ai u afrua pranë bankës me automjetin e tij, e parkoi aty pranë dhe hyri i armatosur brenda filialit.
Në momentin e ngjarjes, roja i sigurisë private nuk ishte pranë derës, por dedektori sinjalizoi praninë e metalit. Situata u përshkallëzua kur Fusha nxori kallashnikovin nga çanta dhe qëlloi një herë në dysheme. Ai arriti të marrë vetëm 8 milionë lekë të vjetra nga njëra prej arkave dhe u arrestua sapo doli jashtë bankës.