Debati për privatizim apo dhënie të shërbimeve publike me koncesion është real. Është i drejtë dhe duhet bërë në çdo moment. Pse jo edhe për 288 koncesionet e firmosura, të cilat sipas Open Data Albania janë në këtë numër? Ndoshta aktive janë më pak, rreth 260 apo 270. Mes tyre, rreth 20 financohen nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër me financim privat.
SPAK ka evidentuar në jo pak kontrata abuzime masive. Aq sa, me të drejtë, sot shumëkush e ka të qartë se jo vetëm që nuk kanë shërbyer siç duhet, por në disa raste kanë dëmtuar interesin publik. Me lejen e pushtetit dhe të një shteti të pamundur apo të joshur.
Ish-ministra në burg, ministra nën hetim, asete të rrënuara, rrugë të shkatërruara, shërbime të munguara, dyshime të shtuara dhe pasurime të pajustifikuara – kjo është panorama që ka lënë pas një pjesë e koncesioneve problematike. Biznesmenë e sipërmarrës të anatemuar, institucione të diskredituara dhe një opinion publik gjithnjë e më mosbesues. Dhe lista, fatkeqësisht, nuk është e shkurtër.
Por koncesioni ka gjithmonë dy anë të medaljes. Kur i jepet njerëzve pa vizion dhe pa integritet, përfundimi është i parashikueshëm. Parimi i tyre është pasurimi personal, pa lënë markë apo aset pas. Ngopen njëherë dhe më pas bëjnë sikur investojnë, gjithmonë me sytë nga arka e shtetit.
Po kur një koncesion i jepet një biznesi që di të fitojë me punë? Në zbatim të një plani zhvillimi, jo vetëm që nuk ka nevojë të shohë nga arka e shtetit, por tatimet që arkëtohen janë reale dhe fitimi vjen pa abuzim.
Rinasi, aeroporti apo TIA, është një kontratë tipike koncesionare. Po, nga ato ku shteti merr përsipër ta kompensojë nëse mungojnë fluturimet, pasagjerët apo avionët – me garanci të përcaktuara në kontratë.
Por kur në pak vite, nga një hyrje pa standarde, sot je drejt përfundimit të terminalit të dytë në të majtë dhe me plan zgjerimi për një të tretë në anën e djathtë; kur numri i udhëtarëve nga qindra mijëra ka shkuar në miliona, përgjigjja bëhet e qartë.

Puno. Fito. Investo.
Mos vidh. Mos mashtro. Mos abuzo.
Është krejt normale që biznesi dhe biznesmenët të fitojnë, qofshin edhe ata të PPP-ve apo koncesioneve. Askush nuk i gjykon për fitimin. Shembulli i TIA-s tregon se mund të realizosh një kontratë koncesionare pa u kthyer në barrë për buxhetin e shtetit.
Fiton pasi investon dhe riinveston fitimet për të krijuar një aset dhe një markë konkurruese, të denjë edhe për tregje më të mëdha, për aksione e bursë.
Pamjet tregojnë se si sot shërbimi policor publik dhe teknologjia digjitale e investuar nga TIA u japin mundësi shqiptarëve të kthehen në atdhe si në çdo aeroport normal europian. Pa shtyrje, pa kaos, por me kontroll digjital, ku në më pak se një minutë për udhëtar përfundon procedura e hyrjes.
Dhe është pikërisht ky një minutë që duhet të bëjë të reflektojë çdo biznesmen me koncesionin apo PPP-në e tij kur kalon në TIA. Një minutë shërbim real, jo fiktivitet me “10 milionë euro çokollata e biskota” për digjitalizim, sterilizim apo rrugë pa standard.
E keni pyetur veten? Nëse kam një koncesion, pse të mos ndërtoj një rrugë cilësore, një shërbim dinjitoz, një investim konkurrues e fitimprurës? Pse të mos punoj për të vendosur standard, por të përfundoj në dyert e SPAK-ut, drejtësisë dhe gjykatave?
Nuk është e thjeshtë. Por as e pamundur nuk është. Shembulli është aty.
Meqë shpesh ju, biznesmenë, sipërmarrës apo mbajtës të PPP-ve dhe kontratave koncesionare, udhëtoni nga Rinasi për jashtë vendit, lutja është e thjeshtë: reflektoni në ato ambiente se si, në pak vite, ky koncesion krijoi markë, standard, riinvestim dhe një aset publik të menaxhuar nga privati pa marrë para nga arka e shqiptarëve.
Që të mos jetë turpi i atyre që e firmosën, por krenaria: Welcome in Albania.