Edhe pse lindjet pësuan një rënie të fortë gjatë vitit 2025, shtesa natyrore e popullsisë në nivel kombëtar mbeti në territor pozitiv, pasi numri i vdekjeve shënoi një tkurrje edhe më të theksuar. Të dhënat e fundit të INSTAT për shtesën natyrore (diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve) tregojnë se vendi po përballet me një krizë të thellë demografike, e cila godet veçanërisht zonat jashtë aksit Tiranë–Durrës.
Në pamje të parë, trendi kombëtar rezulton lehtësisht në rritje, por ky zhvillim mbështetet pothuajse tërësisht nga pesha demografike e kryeqytetit. Në pjesën më të madhe të qarqeve të vendit, vdekjet vijojnë të tejkalojnë lindjet, duke përforcuar plakjen e popullsisë dhe tkurrjen natyrore.
Qarku i Tiranë mbetet epiqendra e vetme e fortë demografike, me një shtesë natyrore pozitive prej 3,803 lindjesh më shumë se vdekje gjatë vitit të kaluar. Kryeqyteti përqendron pjesën më të madhe të popullsisë në moshë riprodhuese, të ardhur nga qarqe të tjera në kërkim të mundësive më të mira për punësim dhe arsimim.
Pas tij renditet Durrës me një shtesë modeste prej 501 personash, i ndjekur nga Kukës (+213) dhe Dibër (+125), zona që tradicionalisht kanë pasur norma më të larta lindshmërie, ndonëse edhe aty ritmi i rritjes po ngadalësohet. Lezhë ndodhet në pragun e qëndrueshmërisë, me një shtesë minimale prej vetëm 4 personash.
Pamja ndryshon ndjeshëm në pjesën tjetër të vendit. Shtatë qarqe rezultojnë me shtesë natyrore negative, duke konfirmuar se vdekshmëria po mposht lindshmërinë.
Korça kryeson me bilancin më negativ, -742 lindje më pak se vdekje, tregues i një plakjeje të shpejtë të popullsisë. Fier regjistron -497, ndërsa Vlorë shënon -454. Në të njëjtën linjë janë edhe Berat (-348), Gjirokastër (-323), Shkodër (-247) dhe Elbasan (-120).
Emigrimi i vazhdueshëm i të rinjve dhe zhvendosja e brendshme drejt kryeqytetit kanë lënë pas një popullsi të plakur në shumë prej këtyre zonave, ku vdekshmëria mbetet e lartë dhe krijimi i familjeve të reja po ngadalësohet për shkak të pasigurive ekonomike.
Nëse ky trend vijon, brenda dekadës së ardhshme disa qarqe rrezikojnë të përballen me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore dhe dobësim të mëtejshëm të shërbimeve bazë, duke thelluar hendekun mes kryeqytetit dhe pjesës tjetër të vendit.